Të gjithë e dinë që shtëpinë, duhet ta mbani të pastër.
Nëna juaj ndoshta ju ka vënë të pastroni dhomën (dhe banjën, e mbase edhe kutinë e ushqimit të maces) duke u rritur, siç bënte mamaja e saj me të kur ishte e vogël. Sot, ju përpiqeni ta mbani shtëpinë tuaj të pastër, por disa ditë pyesni veten: Sa keq do të ishte sikur ta linit shtëpinë ‘në mëshirë të fatit’ dhe thjesht të bëni një pushim nga pastrimi për pak?
Sa e rëndësishme është një shtëpi e pastër?
Për t’iu përgjigjur kësaj, do të ndajmë vetëm disa nga shumë arsye përse mbajtja e shtëpisë tuaj të pastër, në të vërtetë mund të ndihmojë shëndetin tuaj dhe shëndetin e atyre që doni .
# 1: Mbajtja e dhomës pastër mund të çojë në gjumë më të mirë
Një studim i fundit nga Fondacioni Kombëtar i Gjumit tregoi se 45 % e amerikanëve kanë probleme të ndjeshme me pasgjumësinë. E vërteta është, se mendjet tona janë plot dhe sigurisht që mendojmë për të gjitha gjërat e mbetura pa u bërë ndërsa përpiqemi të biem në gjumë, duke përfshirë të gjitha rrëmujat përreth. Prandaj, për të lehtësuar disi mendjen nga streset dhe sikletet, është e nevojshme që në dhomën e gjumit të vendosni në mënyrë konstante rregull dhe të pastroni sa më shpesh të jetë e mundur. Ky fondacion, gjithashtu arriti në përfundimin se veçanërisht një krevat i pastruar mirë dhe me çarçafë që ndërrohen shpesh, ndihmojnë dhe përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e gjumit.
# 2: Një hapësirë e pastër dhe pa rrëmujë përmirëson shëndetin tuaj mendor
Kur çdo sipërfaqe është e mbuluar nga rrëmujat, rrobat për të larë janë bërë mal – sa e pastër mund të jetë shtëpia jote?
Rrëmuja dhe papastërtitë ndikojnë ndjeshëm në krijimin dhe rritjen e stresit, madje edhe vetë depresionit. Sigurisht që me kalimin e kohës, një pjesë e trurit tonë e injoron rrëmujën por ndërkohë pjesët e tjera të trurit mbingarkohen nga problematika të tjera. Një studim i Universitetit Princeton arriti në përfundimin se rrëmuja mund të mbingarkojë korteksin vizual, duke e bërë më të vështirë përpunimin e detyrës në fjalë.
Ky nuk është studimi i vetëm që tregon efektet e rrëmujës në shëndetin mendor. Janë kryer shumë studime të psikologjisë që tregojnë se një hapësirë e pastër dhe e rregullt mund të na ndihmojë të përqendrohemi më mirë dhe të ndihemi më të qetë, më pak të depresionuar dhe më pak të shqetësuar në përgjithësi.
# 3: Një shtëpi e pastër mund t’ju bëj të zgjidhni ushqime më të shëndetshme
Pse është i rëndësishëm pastrimi? Ja një arsye tjetër: e vërtetuar se ambientet e çrregullta dhe të pa pastra na bëjnë të ndjehemi të shqetësuar dhe të stresuar. Dhe nuk është sekret që shumë prej nesh priren të bëjnë zgjedhje të këqia të ushqimit kur jemi të stresuar.
Kur e keni të qartë këtë panoramë, është e lehtë të shihni të kundërtën : që një shtëpi e pastër dhe e rregullt mund t’ju shtyjë drejt zakoneve më të mira të ngrënies dhe një mënyrë jetese përgjithësisht më të shëndetshme.
Shkenca mbështet këtë mendim. Një studim i vitit 2010 i botuar në revistën Psychological Science tregoi se njerëzit në një mjedis më të rregullt dhe të pastër bënë zgjedhje më të mençura dhe më të shëndetshme, se sa ata që përpiqeshin të punonin në hapësira më të rrëmujshme dhe të çrregullta.
Kjo mund të mos duket si diçka me rëndësi, por ju mund të shtoni peshë nga ushqimet e dëmshme, fare lehtë. Vakti mesatar me ushqime të shpejta sjell rreth 1.800 kalori, ndërsa një darkë e gatuar shëndetshëm në shtëpi arrin me rreth 550.
# 4: Një shtëpi e pastër lehtësonë simptomat e alergjisë sezonale
Pavarësisht nëse vuani kryesisht nga alergjitë sezonale në natyrë, si përshembull ndaj polenit dhe mykut ose kryesisht nga ato që konsiderohen alergji “të brendshme” si pluhuri, rrjetat e marimangës, qimet e kafshëve shtëpiake dhe flokët, mbajtja e një shtëpie të pastër mund të zvogëlojë shumë simptomat e alergjisë.
Alergjenët në natyrë si poleni dhe myku mund të mbarten në këpucë dhe veshje. Nëse lihen të grumbullohen, pluhuri, qimet e kafshëve dhe alergjenët e tjerë mund të shkaktojnë siklete në hundë, sy dhe sinus, duke ju bërë të ndiheni të mjegullt, të keni kruarje dhe me sy të kuq.
Mbajtja e shtëpisë të pastër, duke përfshirë pastrimin e rregullt me fshesës me korent dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë zonave që mund të jenë të prirura për rritjen e mykut, posaçërisht në banjë; mbajtja e pluhurit në ajër në minimum duke pastruar me një pecetë të lagur, ndërrimi i rregullt i çarçafëve të shtratit dhe pastrimi i rrjetave / grilave të dritareve mund të zvogëlojë shumë simptomat tuaja të alergjisë.
# 5: Një shtëpi e pastër dhe e mirëmbajtur rregullisht kursen para
Pse është e rëndësishme të kesh një shtëpi të pastër? Kemi një argument tjetër bindës: vigjilenca që tregoni me pastrimin dhe rregullit në shtëpi, mund t’ju kursejë me të vërtetë para në disa mënyra.
Së pari, kur e mbani shtëpinë të pastër rregullisht, do të keni më pak nevojë për produkte pastrimi, pasi papastërtive nuk u jepet një mundësi për t’u grumbulluar deri në pikën që do të kërkonte shtesë produktesh pastrimi ose të blini diçka më të shtrenjtë.
Së dyti, sipërfaqet kanë më shumë të ngjarë të dëmtohen nëse ato janë të veshura me papastërti dhe pluhur. Papastërtia në dyshemenë e drurit ose të pllakave vepron si letër zmerile kur njerëzit ecin mbi të, duke e gërvishtur dhe duke e bërë dyshemenë të duket e veshur dhe e vjetër. Depozitat e sapunit dhe ujit mund të dëmtojnë hidrosanitaret e banjës. Mbajtja e sipërfaqeve si dyshemetë, banakët dhe pajisjet e banjës të pastra do t’i ndihmojë ato të qëndrojnë bukur për më gjatë.
Së treti, mbajtja e pajisjeve të pastra do t’i ndihmojë të punojnë në mënyrë më efikase dhe të zgjasin më gjatë. Pra nuk do të keni nevojë për rinovim shtëpie hera – herës.