Të jesh një prind i kohës, modern ose thënë ndryshe trendy, është diçka më shumë se të qënit i/e pasur apo koha që sakrifikon për të arritur këtë standard. Të qënit prind trendy është realisht çështje zemre.
Mblidhni mendjen
Kohët kanë ndryshuar kryekëput! Dhe prindërimi është një nga rolet që ka pësuar dhe vazhdon ende të jetë në proces ndryshimi konstant. Për të qënë një nënë cool ose trendy, motivimi duhet të lidhet ngushtësisht me mirëqënien e fëmijë tuaj. Por nëse zgjidhni të ndiqni këtë trend prindërimi thjesht për të rritur egon tuaj ose për të ngushëlluar disi veten për ikjen e viteve, nuk do të arrini kurrë të performoni siç duhet. Ose do të jeni të besdisshëm ( duke u përpjekur shumë ) ose do të jeni të butë dhe neglizhent ( duke ju plotësuar fëmijëve tuaj adoleshent çdo tekë ).
Një nënë trendy ka një armë të fortë. Vetëbesimin!
Të jesh një nënë trendy do të thotë të mbrosh fëmijën tënd ndërsa rritet dhe të përpiqesh ta njohësh, orientosh dhe pranosh individualitetin e tij/saj gjatë fazës së adoleshencës dhe më pas rinis së hershme. Ka të bëjë gjithashtu edhe me pranimin e idesë se fëmija juaj është një individ tërësisht i ndryshëm nga ju dhe në këtë pikë, ju kuptoni natyrshëm se si të ndërtoni një marrdhënie me të. Të jesh një mama trendy do të thotë që nuk para ja lejon vetes të të zërë frika apo stresi edhe në momentet më të paparashikueshme.
Të jesh një nënë trendy, ka të bëjë me rritjen dhe edukimin e shëndetshëm të fëmijës tend, jo me reputacionin tend si individ më vete. Në fakt, të jesh nënë trendy mund të të sjellë shumë paragjykime dhe thashetheme nga prindërit e tjerë, por ti e di që qëllimi yt kryesor është të rritësh një fëmijë që të jetojë jetën e tij sipas standardeteve të veta, jo për botën.
Zgjidhni betejat tuaja
Për të qenë një prind i mirë dhe trendy, duhet të përpiqeni në vazhdimësi të krijoni kufijë dhe standarde, të cilët fëmija juaj duht të mësoj t’i pranojë dhe respektojë. Dhe këta kufijë duhet të kenë të bëjnë me gjëra të mëdha, jo me vogëlsira.
Për shembull, ju mund ta lejoni vajzën tuaj 15 vjeçare të lyej flokët me ngjyra të çmendura, por nuk do t’i thoni po për një tatuazh. Sepse ngjyrosja e flokëve nuk është e përhershme. Ajo është një fëmijë dhe nuk ka asnjë rrezik të sëmuret apo të bëhesh pishman për një ngjyrë flokësh që del shpejtë. Një tatuazh është përgjithmonë dhe ajo është një fëmijë që nuk është ende e bindur se çfarë do nga jeta, për të bërë një zgjedhje të tillë. Një fëmijë supozohet të bëjë gjëra pa kuptim dhe njëherësh të rritet me mençuri. Pra kjo është koha perfekte për të eksperimentuar me lyerjet e çmendura të flokëve dhe veshjet, pa kapërcyer kufijtë.
Ndaloni prindërimin e mbushur me frikëra
Po, bota dhe e tashmja janë të frikshme. Dhe PO, fëmijët tuaj, veçanërisht në adoleshencë, do të tundohen dhe do të gabojnë sado prezent të qëndroni në jetën e tyre gjatë rritjes. Një mjet tjetër që do t’ju shërbejë të bëheni një mami trendy është besimi. Ndaloni panikun për çdo aksident imagjar të mundshëm, ndikim të keq nga shoqëria ose vendime të këqia që fëmija juaj do duhet të marr hera – herës gjatë fazës së rritjes. Askush nuk bënë kurrë zgjedhje të mira bazuar në frikë ose panik. Po, në jetë mund të ndodh shumëçka e bukur ose e shëmtuar dhe fëmija juaj mund të gjendet realisht në një rrezik madhor në një të ardhme që ju si prind nuk e parashikoni dhe ka të ngjarë të mos e ndaloni dot, por kjo nuk ju jep aspak të drejtën t’i ndaloni të jetojnë moshën e tyre.
Ju nuk jeni Zoti prandaj mos u sforconi të luani rolin e tij! Edhe nëse jeni ateist, duhet të mësoni të jetoni në të tashmen më shumë, duke i kushtur rëndësi rritjes së shëndetshme të fëmijëve tuaj, duke i shijuar fazat e tyre të rritjes me të gjitha shpërthimet dhe të papriturat dhe njëherësh nëpërmjet komunikimit, nuk duhet të rreshtni së përsërituri rreziqet dhe pasojat, duke sajuar histori ose duke rrëfyer diçka nga jeta juaj në të njëjtën moshë. Bëjeni me dije fëmijën tuaj se ndryshe nga modeli prindërimit me të cilin jeni rritur ju, në këtë rast, kur ti je mami, fëmija juaj duhet të ndjehet i / e lirshme të komunikojë me ju edhe nëse keni këndvështrime të kundërta. Ftoje ta diskutoni ose negocioni çështjen dhe të mos hiqni dorë derisa problemit t’i jepni zgjidhje së bashku.
Thuaj PO sa më shumë të jetë e mundur
99% e prindërve dëshirojnë vërtet të bëjnë një punë të mire me prindërimin. Por ata kanë kaq shumë frikë se mos ngatërrohen, saqë shpesh jetojnë dhe kujdesinë fëmijët e tyre të mbushur me shumë frikë. Ndërkohë që mamit trendy kanë tjetër nivel standardesh. Me rritjen e fëmijëve mamit trendy kuptojnë saktësisht se kur është koha të zbusin disi qëndrimin ose zgjerojnë kufijtë e veprimit. Nëse jeni duke i mëshuar mësimit të normave dhe aftësive të vendimmarrjes, duhet të jeni në gjendje që në një pikë të caktuar gjatë rritjes së tyre, t’ju besoni realisht kur nisin të bëjnë zgjedhjet dhe zgjidhjet e tyre. Lërini fëmijët të marrin disa vendime, qoftë edhe të këqia. Ata duhet të mësojnë edhe me praktik çdo të thotë e gabuar! Si përshembull lyerja e shpeshtë e flokëve, ndryshimi i ngjyrave etj do t’ju krijonë probleme me rënien e flokëve dhe pasi ta keni lënë fëmijën tuaj adoleshent të veprojë duke bërë këtë zgjedhje të gabuar, gjithsesi ju do t’i gjendeni pranë për t’i ndihmuar të gjejnë zgjidhje dhe të nxjerrin mësime nga këto përvoja. Prandaj nëse dëshironi të jeni një mama trendy, thuaj PO edhe një ideje të ‘çmendur’ të fëmijës për të cilën jeni e bindur që do të pendohet por ju do të jeni aty për ta ngushëlluar.
Ndryshoni përgjigjet nga ‘JO në “PSE JO?” dhe do të jesh më afër statusit të mamit trendy
Kjo do të thotë që të jeni në dispozicion për të folur për çdo gjë.
Të jesh nënë trendy do të thotë të krijosh një marrëdhënie të ngushtë me fëmijën tuaj ku mund të flisni për pothuajse gjithçka ndërsa fshihni habinë për çfarëdo teme të çuditshme që fëmija juaj parashtron gjatë bisedës. Ju përmbaheni në gjykim dhe e dëgjoni atë plotësisht përpara se të jepni mendimin tuaj si prind.
Një mënyrë për ta praktikuar? Zgjidhni një temë disi të vështirë për tu diskutuar me fëmijën tuaj adoleshentë. Si përshembull tema rreth seksit, mastrubimit apo dashurisë. Gjëra për të cilat është gjithmonë e sikletshme të flasësh. A ndihet rehat fëmija juaj duke folur për ato gjëra me ju? Kur themi duke folur, duam të themi që ai / ajo angazhohet në bisedë jo thjeshtë duke përsëritur fjalët e tua! Dhe kur ai / ajo jep mendimin e tij / saj rreth temës , a e dëgjoni apo e ndërprisni shpejt bisedën me një përgjigje të shkurtër?
Këto janë faza të vështira, por që të jeni një nënë moderne duhet të dini t’i trajtoni të tilla biseda me fëmijët tuaj, pa shprehur irritim apo siklet. Në fund të fundit, ju po përpiqeni t’i mësoni fëmijës tuaj më shumë rreth jetës dhe pse jo, në disa raste e lejoni atë t’ju mësoj më diçka të re rreth brezit në të cilin bën pjesë. Në disa raste fëmija juaj do të ketë të drejtë dhe mos nguroni ta pranoni këtë! Prandaj mos ju shmangni edhe bisedave të thella, të cilat ju tregojnë shumë rreth karakterit dhe temperamentit të fëmijës tuaj.