Dhjetori është padyshim një muaj magjie, refleksioni dhe dëshire për të qenë sa më pozitiv në raport me veten dhe të tjerët. Krishtëlindjet dhe festat e fundvitit janë elementët kryesor që e mbushin këtë periudhë me gjithë magjinë dhe energjinë për të cilën duket se të gjithë kanë nevojë. Është periudha kur të rriturit bëhen nostalgjik ose analizojnë arritjet apo vështirësitë gjatë një viti që lihet pas, ndërsa për fëmijët është një periudhë tërësisht përrallore! Për ata që i festojnë Krishtëlindjet, kjo kohë është një mundësi e mirë të krijuar një atmosferë të ngrohtë, të bukur dhe gjithë gëzim, ndërsa për ata të cilët Krishtëlindjet nuk i kanë traditë për shkak të përkatësisë fetare ( por që gjithsesi, fatmirësisht në mendësinë e shqiptarit, Zoti është një ) është gjithsesi një shans për tu afruar dhe kaluar kohë të bukur së bashku me familjen dhe miqtë! Për të rriturit, dhjetori është gati një proces në të cilin përpiqen të nxjerrin rezultatet dhe të planifikojnë me aq sa munden një të ardhme më të mirë! Ndërsa për fëmijët, kjo duhet të jetë periudha e mesazheve dhe mësimeve mbi elementët më të rëndësishëm në jetë! Por a do të kishin kuptim festat e fundvitit pa personazhin e Shën Nikolasit që punon gjithë vitin në polin e Veriut bashkë me elfët, duke prodhuar lodra, të cilat i shpërndan me dashuri dhe gëzim ditën e ndërrimit të viteve?
Ky është një këndvështrim që vë në mëdyshje të rriturit, të cilët dëshirojnë të krijojnë një periudhë festash sa më të bukur dhe të gëzueshme për të vegjlit e tyre! Shpesh mund ta keni gjetur veten gjatë festave të dhjetorit duke parë gëzimin dhe lumturinë në sytë e fëmijëve tuaj teksa përgatiten për festa, realizojnë kartolina me urime, shkruajnë listën e dëshirave, flasin për dhuratat që plaku i vitit të ri do t’ju sjell dhe e gjeni gjithmonë e më të vështirë idenë se do të dëshironit të tregoheshit të vëretë, duke ju prishur gëzimin dhe gjithë imagjinatën rreth një personazhi si Santa Claus.
Të rriturit e vënë edhe vetë në diskutim nëse prania e një personazhi imagjinar si Santa Claus ose Babagjyshi Vitit të Ri është një element që duhet të qëndroj për hir të dëshirës për t’ju falur fëmijëve gëzim dhe mundësi për të fantazuar dhe zhvilluar imagjinaën apo duhet të trajtohet si një mit që duhet thyer, për hir të tezës së të qenit sa më realist! Dhe teksa të mëdhenjtë e gjejnë veten në dilema të tilla në dukje të thjeshta, papritur fëmijët tuaj kujtohen dhe fillojnë të pyesin : A është Santa Claus i vërtetë?
Dikur rreth moshës 6 – 8 vjeç, fëmija juaj do të përfshihet në një dilemë të madhe rreth Babagjyshit dhe do t’ju shtrojë një pyetje në dukje të thjeshtë, përgjigja e të cilës bëhet gjithmonë e më e vështirë! Veçanërisht nëse fëmija juaj është në moshën e shkollës, përgjigja e kësaj pyetje duhet të jetë e mirë argumentuar! Kjo kureshtje e fëmijës tuaj shënon fundin e një periudhe të caktuar naiviteti për të vegjlit dhe gjithashtu fundin e një kapitulli zbavitës si për të fëmijën dhe prindërit! Prandaj dilema është e madhe!
Në këtë pikë, edhe nëse fëmija juaj nuk ka arritur ende në fazën e dyshimit rreth vërtetësisë së Santa Claus-it, prindërit duhet ta zgjidhin dhe t’i paraprijnë këtij zbulimi, duke thyer mitin e burrit me rroba të kuqe dhe thes në kurriz, që hyn nga oxhaku ( edhe pse pak në mbipeshë ) dhe sjell dhuratat e dëshiruara!
Pra, çështja është : si t’ja themi fëmijës që Santa Claus nuk është i vërtetë?
Është e rëndësishme që të rriturit t’i shkojnë më thellë simbolit të personazhit Santa Claus! Një nga arsyet përse pyetja e fëmijëve rreth vërtetësisë së Santa Claus tingëllon e vështirë, është fakti se kjo është një pyetje që kërkon një lloj shpjegimi ose argumentimi. Nuk mund dhe nuk duhet t’i bini shkurt kuriozitetit të fëmijës suaj në lidhje me këtë temë, duke ju përgjigjur me një ‘Po’ ose ‘Jo’ të thjeshtë! Sigurisht që mund ta kapni historinë nga kreu dhe t’ja rrëfesh fëmijës tënd se si është krijuar historia e Santa Claus dhe se në të vërtetë ky personazh është si gjithë të tjerët që ai / ajo njeh dhe pëlqen aq shumë, por disi më i rëndësishëm gjatë periudhës së fundvitit, pasi Santa Claus do të thotë mirësi dhe gëzim!
Ndoshta duhet t’ja interpretoni historinë rreth këtij burri të moshuar dhe gazmor që rend për të sjell dhurata nga një anë e botës në tjetrën, si shembullin e një njeriu të njohur dhe të dashur për familjen dhe fëmijën tuaj, që përpiqet gjatë gjithë kohës të kujdeset dhe shpërndaj lumturi! Ideja dhe fokusi duhet të jenë gjithmonë tek simbolika e Santa Claus. Po ai është një burrë që vesh rroba të kuqe, prodhon lodra dhe shpërndanë dhurata për të gëzuar fëmijët! Por si ky burrë është edhe gjyshi, xhaja, daja ( që sigurisht mund të jenë më të rinjë ) me të cilët jo domosdoshmërisht jetoni afër, por kur ata vijnë pranë familjes dhe fëmijëve tuaj sjellin gjithmonë dashuri, vëmendje, dhurata dhe gëzim! Mund të hiqni paralele midis një miti dhe një personi të vërtetë dhe të dashur në jetën e fëmijës suaj! Kjo mënyrë do të zbus faktin dhe zbulimin për fëmijën tuaj se paska të ngjarë që Plaku Vitit të Ri nuk qenka aspak i vërtetë dhe se dyshimet e tij paskan qenë reale ( nuk ka shans që fëmija juaj të mos ketë vënë re se personi veshur si babagjysh, shpesh ka sy të njëjtë me të babit ose të gjyshit )!
Gjithashtu prindërit duhet të vlerësojnë edhe shkallën e rëndësisë që ky zbulim ka për fëmijën kur ata marrin vetë iniciativën të parët për të pyetur rreth babagjyshit! Pyetja e tij shtrohet si një pyetje serioze për të cilën ai pret një përgjigje sa më të vërtetë apo është disi më e zbutur, sikur ai / ajo në të vëretë thjesht po kërkon një mundësi për të justifikuar sjelljen e lojës dhe qëndrimin shpresdhënës të tipit : ‘të sillemi sikur është i vërtetë’? Ka raste në të cilat ( kjo varet nga natyra, temperamenti dhe karakteri fëmijës ) kjo pyetje është për fëmijët po aq e rëndësishme sa dëshira për të mësuar se si kanë ardhur në jetë! Disa fëmijë dëshirojnë të mësojnë realisht se si janë krijuar dhe lindur, dhe nuk pushojnë së pyeturi derisa përgjigja t’ju tingëlloj bindëse. Dhe të tjerët mjaftohen me shpjegimin e thjeshtë se i ka sjellë lejleku ose mami i ka sjellë në jetë duke i nxjerr nga barku! Në të njëjtën formë edhe në këtë pikë, disa fëmijë dëshirojnë të mësojnë të gjithë të vërtetën rreth Santa Clausit, përfshirë edhe simbolikën që përcjell personazhi dhe disa të tjerë ju duket e pranueshme të qëndrojnë në një dyshim të arsyeshëm rreth vërtetësisë së tij!
Një faktor tjetër që prindërit duhet të mbajnë parasysh gjatë zbulimit të vërtetësisë së Santa Claus, duhet të jetë edhe mosha e fëmijës. Që do të thotë se një 10 – vjeçar, i cili beson ende se Santa Claus është i vërtetë, do të jetë në disavantazh me bashkëmoshatarët e tij në klasë dhe ndonjëherë mund të ndodh që të tjerët ta vënë në lojë, pasi tashmë ata kanë zbuluar se Plaku Vitit të Ri nuk ekziston! Ndërsa një fëmijë 4 vjeç që është i bindur se Babagjyshi nuk ekziston, mund të cilësohet si shqetësues për shokët e kopshtit dhe edukatoret! Pasi për fëmijët e grupmoshës 3 – 6 vjeç, udhëtimet imagjinare për në fabrikën e lodrave të Santa Claus në polin e Veriut, janë ushqimi ideal për të nxitur kreativitetin. Ndërsa për fëmijët e moshës mbi 10 vjeç, zbulimi të vërtetës rreth Santa Claus duhet të jetë një fazë tranzicioni që e mëson të kalojë në një stad tjetër, nga fëmijë në adoleshent! Ky është proces i natyrshëm rritjeje! Gjithsesi gjithçka në këtë pikë, varet nga fakti se sa prindërit i njohin fëmijët e tyre dhe për të kuptuar se ku janë në këtë vazhdimësi dhe proces rritjeje.
Prindërit duhet të jenë gjithmonë të përgatitur! Edhe fëmijët e të njëjtës familje, me prindër të njëjtë, ndyrshojnë shumë nga sho – shoqi në shumëçka ose edhe në pak element! Sidoqoftë ata janë individë të ndryshëm, me natyrë dhe temperamente të ndryshme, prandajë prindërit duhet të vlerësojnë një seri elementësh njëherësh, parpara se fëmijët të arrijnë në fazën e pyetjeve të vështira, një prej të cilave është : a ekziston vërtetë babagjyshi apo është babi ai që na lë dhuratat poshtë pemës çdo fundvit?
Fëmijët kanë nevojë të kuptojnë se përfshirja në një histori të bukur si kjo me Santa Claus, nuk është një gënjeshtër në të cilën prindërit e lënë të besojë për një kohë të gjatë, por është një simbolik që i ndihmonë të përjetojnë emocione të cilat i vijnë në ndihmë të zhvillohen dhe rriten. Këtu hymë në kategorinë e gënjeshtrave të bardha, që synojnë të ndihmojnë fëmijët të rriten duke kuptuar ambientin rreth tyre! Duke i qëndruar tezës ‘le të pretendojmë sikur Santa eksizton’, të rriturit i japin mundësi fëmijës të argëtohet dhe të përjetoj ndjesi pozitive, të paktën, derisa të vij periudha në të cilën, të vegjlit tuaj do të kenë nevojë për të ndarë imagjinatën nga realiteti!
Të rriturit duhet të mbajnë në konsideratë faktin se në gjithë këtë histori, diçka të vëretë ka! Personazhi Santa Claus është krijuar duke u frymëzuar nga një peshkop i hershëm i krishterë, nga qyteti lashtë grek Myra. Ky personazh nderohet nga shumë të krishterë si ‘Shenjtë’ dhe cilësohet si shenjtori mbrojtës i marinarëve, fëmijëve, tregëtarëve, blegtorëve etj! Ai ishte një njeri i vërtetë dikur, kushtuar besimit të krishterë dhe njihej për prirjen personale të të ardhurit në ndihmë ndaj njerëzve në nevojë! Kjo do të thotë që miti Santa Claus mund të thyhet por simbolika tij si personazh që përcjell mirësi, kujdes dhe bujari, nuk duhet të lihet mënjanë!
Prandaj edhe vetë të rriturit gëzohen dhe emocionohen kur gjejnë dhurata nën pemën e krishtëlindjeve, kur nxitojnë ta ulin të voglin e tyre në prehrin e dikujt që është veshur si Santa Claus në një qendër tregëtare dhe të shkrepin 101 fotografi! Mbani gjallë shpirtin e festës, ushqeni imagjinatën e fëmijëve tuaj dhe përpiquni të gjeni një ekuilibër midis realiteti dhe simbolikës! Mbi të gjitha Santa Claus do të thotë të dhurosh gëzim, kujdes dhe dashuri tek njerëzit e dashur!