Sigurisht, lulet e freskëta mund të ndihmojnë që dhomat të ketë një aromë të këndshme, por ç’të themi për pjesën tjetër të shtëpisë? Prandaj ju propozojmë disa këshilla të shkëlqyera, shumë bio dhe shumë ekonomike për aroma të mrekullueshme në shtëpinë tuaj!
- Aroma e freskët e furrës pas pjekjes
Nuk është e thënë të piqni kek e biskota, vazhdimisht, në mënyrë që shtëpia jote të mbajë aromë të mrekullueshme. Atëherë si? Në një fletë pjekjeje hidhni 1 -2 lugë çaji kanellë dhe 2-3 fara karaifili. Vendosnini në furrë me temperaturë 200 gradë për 30 minuta, me derën e sobës pak hapur! Do e mbushni shtëpinë tuaj të bukur shumë shpejtë me një aromë të mirë dhe pikante, pa shpenzuar as shumë para, kohë apo energji!
- Përdorni lule të freskëta ose të thara
Mund të përdorni lule natyrale si livando ose trëndafila, por edhe të thata, të cilat mund t’i vendosni në fund të sirtareve me rroba, në pjesën e brendshme. Në këtë mënyrë evitoni kimikatet dhe njëherësh do të keni aromë të këndshme sa herë hapni dollapët ose sirtarët, përfshirë këtu edhe rrobat!
- Bëni një aromë frigoriferi
Tashmë e dini se soda e bukës mund të neutralizojë aromat e frigoriferit, por kemi edhe një këshillë të re : Lagni ose përzieni një top pambuku me ekstrakt vanilje dhe lëreni në një raft frigoriferi për të shtuar një aromë të këndshme të ëmbël. Në mungesë të vaniljes, mund të përdorni edhe lëngun dhe lëkurën e limonit. Aroma do të jetë gjithsesi e mrekullueshme sa herë të hapni frigoriferin
- Aromatizoni edhe mikrovalën
Ju mund ta përgatisni edhe vetë aromën e shtëpisë suaj, sipas shijeve dhe gjithmonë me produkte organike, lehtësisht të gjendshme në kuzhinë. Prandaj përzieni në një gotë / filxhan lëkurë limoni ose portokalli, shtoni ujë dhe esencë vaniljeje dhe lëreni në mikrovalë për pak minuta, duke shtuar ujë sipas nevojës. Në këtë përzierje mund të zëvendësoni vaniljen me fara karaifili, për ta kaluar aromën nga të ëmbël në disi më pikante, gjithmonë sipas dëshirës!
- Pastërtia është sekreti kryesor
Sigurisht që aroma e mirë do të mbizotëroj në shtëpinë tuaj vetëm në rastin kur bëheni të vetëdijshëm se fillimisht ambientet e banimit, mobiliet, rrobat dhe aksesorët tuaj duhet të jenë të pastër në vazhdimësi! Një tjetër këshillë për të mos u harruar është edhe freskimi i ambientit të banimit duke hapur dritaret në mëngjes, pavarsisht stinës. Pastaj përgatitja e aromave shtëpiake, kryesisht me bazë frutash dhe esencash, është një plus I madh, pasi shmangni në maksimum kimikatet e detergjentëve të pastrimit dhe aromatizimit dhe njëkohësisht edhe kurseni pak më tepër nga këto produkte!