Në adoleshencë edhe pse njeriu ka mësuar apo me saktë e ka bërë të vetën konceptin e të mirës dhe të keqes apo rëndësinë e punës përsëri sjelljet e tij janë shumë impulsive. Ai nuk e ka të lehtë ta menaxhojë këtë formë energjie.
Në këtë fazë të jetës i rrituri ka një rol vendimtar, me kushtin që të mos jetë paragjykues dhe mbi të gjitha të mos demostroi dijen e tij prej të rrituri, që i di të ‘gjitha”. I rrituri duhet të shmangë shprehjen “të thashë, por nuk më dëgjove”. Kjo shprehje është vdekjeprurëse për adoleshentin. Është kjo shprehje që e shmang dhe e prish dialogun aq të rëndësishëm, adoleshent-i rritur. Adoleshenti ka nevojë si për ajrin, për këtë dialog. Do të ishte ideale që i rrituri të ishte mësuesi i shkollës ku adoleshenti bën pjesë.
Familja, nëna, babai edhe pse janë shumë të rëndësishëm për adoleshentin, kanë dal në plan të dytë për faktin e thjeshtë sepse kështu zhvillohet cikli i rritjes. Fillon me familjen, periudha nga 0-13 vjeç, ku merren bazat e edukimit dhe më pas vazhdohet me të mësuarin nëpërmjet njerëzve të tjerë me të cilët nuk ka lidhje gjaku. Është shumë e rëndësishme që i rrituri jashtë familjes të jetë një i rritur tolerant dhe i përgjegjshëm, pasi këtu janë premisat ku ndërtohet dhe merr vrull njerzorja dhe qytetarja, të pranosh tjetrin si veten pa patur lidhje gjaku.
Lira Gjika.