Që nga koha kur një grua si Eva u mashtrua në kopshtin e Edenit, e deri më sot, gruaja / femra është pozicionuar gjithmonë botërisht një hap pas burrit / mashkullit! Ende sot e kësaj dite, kohë në të cilën shkenca dhe teknologjia po tjetërsojnë ekzistencën e njerëzimit kryekëputë, ende nuk ka asnjë shpjegim disi të arsyeshëm logjik apo shkencor përse gruaja / femra konsiderohet si gjinia inferior! Gjithashtu, pavarsisht ndryshimeve kulturore midis vendeve, duket se rendesia dhe epersine e mashkullit / burrit, njerëzimi e percepton gjithmonë me terma superioriteti si :
- mashkullor
- krye familjar
- mbrojtës
- përgjegjës
Ndërkohë që gruaja / femra, perceptohet dhe identifikohet me terma të tipit :
- shtëpiake
- të përulura
- të brishta
Gruas i është dashur kohë e gjatë nëpër shekuj dhe veçanërisht 100 vitet e fundit, të luftojë në atë formë që të bëjë me dije botën për rolin e saj në të! Ndryshimet janë të vogla, por të ndjeshme! Gruaja në botë po arrinë të krijoj dhe të pranojnë identitetin e saj! Dhe nëse nëpër botë, veçanërisht në vendet e zhvilluara, roli femrës vazhdon të fuqizohet dhe me termin ‘fuqizim’ nënkuptojmë arritje në çdo aspekt jetësor : familje, personal, profesional, shoqëror, në Shqipëri, të qënit femër, shndërrohet në një përkatësi jo thjeshtë dhe vetëm gjiniore por gati egizstencialiste!
Lëvizjet feministe, më synim njohjen e të drejtave të grave, në botë kanë nisur që në vitin 1909, fillimisht në New York, për të vazhduar duke u konfirmuar me fitimin e të drejtës së votës të grave në Bashkimin Sovjetik në më 8 Mars 1917 dhe konfirmimin në 1975 nga United Nation. Ndërkohë që të qënit femër në Shqipëri në 2019 – tën, do të thotë sërish shumëçka të llojit :
- të arsimohesh më pak
- të paragjykohesh në detaje dhe element tërësisht personal
- të paguhesh më pak se një burrë në të njëjtin pozicion edhe nese eksperienca dhe edukimi është në të njëjtin nivel
- duhet të martohesh pa kaluar prefiksin e 3-shit
- të punosh jashtë shtëpisë çdo ditë 8 orë rresht, kur të kthehesh në shtëpi duhet të vazhdosh të qëndrosh në shërbim të familjes
- fundjava mund të jetë pushim për gjithkënd, përveç gruas / femrës në shtëpi
- të tregosh jashtëzakonisht durim gjatë gjithë ditës në cilindo profil të jetës
- familjarët e tu më të ngushtë kanë gjithë të drejtën e botës të marrin vendime për ty, pa të vënë në dijeni, ju thjesht duhet ta pranoni
- të jesh një herësh : bashkëshorte, nënë, pastruese, dado, infermiere, profesioniste, shoqe, motër, bijë, shtriga punës etj
Lista është akoma më e gjatë! Por gruaja shqiptare e vitit 2019 – të, duhet të tregohet akoma më e fortë dhe më e zonja për të rritur më shumë peshën dhe rolin e saj në shoqëri dhe familje!
Të jesh grua në Shqipëri edhe pse në 2019 – tën, do të thotë që bashkëshorti, vëllai, babai, biri, kushdo pjestarë i afërt i gjakut ose familjes tënde, mund të të marr jetën lehtësisht! Që nga periudha Shkurt 2012 deri në Shkurt 2019, regjistrohen gjithsej 98 gra të vrara nga bashkëshortët, si rezultat i dhunës në familje! Dhe për një vend si Shqipëria, ky është një bilanc lufte! Kjo statistikë, do të thotë që rreth 14 grave në Shqipëri, ju merret jeta brenda mureve të shtëpisë, pronës dhe familjes që me aq mund ngrën dhe për të cilën janë të gatshme të sakrifikojnë gjithçka! Edhe jetën!
Të gjitha dukuritë e tmerrshme që shoqërojnë ekzistencën e femrës në vendin tonë, tashmë duhet të shpërbëhen! Gruaja shqiptare e 2019 – tës duhet të jetë një zonjë që di të jap, të luftoj, të ndërtoj, të mbjell mirësi e lumturi, të triumfoj në jetën personale dhe profesionale, të rris fëmijë të shëndetshëm e të zgjuar, të dashuroj dhe ta lënë ta duan, të ëndërroj dhe të guxoj të shpalos flatrat drejt qiellit të saj të suksesit dhe të qëndroj FITIMTARE! Por në asnjë rast gruaja shqiptare e 2019 – tës, përtej Tiranës, nuk duhet kurrësesi të sakrifikoj tërësisht ekzistencën e saj!
Mos e vrisni gruan në Shqipëri!
Gjithë kjo mendësi, nuk ka të bëj aspak me tendencën e të qenit feminist! Ka të bëjë tërësisht me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut! Bashkëshortja, nëna, motra, e dashura, gjyshja juaj tashmë duhet të meritoj vëmendje, respekt, ndihmë, mbrojtje dhe kujdes maksimal!
Transformoni konceptin dhe realitetin e të qenit GRUA në Shqipërinë e 2019 – tës!
Grua, guxo të mbrosh dhe të dhurosh JETËN!
Nise me jetën tënde!
Gruaja shqiptare e 2019 –tës është modeli ri të drejtës për jetën, lumturinë, suksesin, mirësinë dhe triumfin!