Gëzime, lodhje, dyshime, frikë e të tjera, e presin gruan, që sapo është bërë nënë. E mahnitur, por dhe e trembur, shikon fëmijën e saj.
I duket i bukur, i shëmtuar, i vogël, qaraman, engjëll, nuk e di nëse e do apo jo, këtë krijesë, që nuk ka nevojë për gjë tjetër, përpos për gjirin dhe gjumin. Është e çuditshme, fëmija nuk di ta kapë gjirin apo më saktë, ajo, nëna, nuk di ta vendosë, apo, ka disa fragmente, që do të ishte më mirë të mos ishin? Nga ana tjetër, mamatë e pjekura (nëna dhe e vjehrra), vetëm ndjenjë faji i provokojnë: ti nuk di se je e re, apo shprehja më e tmerrshme “qumështi yt është i keq”. Kjo shprehje nuk ka asgjë të vërtetë.
Qumështi i nënës nuk është kurrë i keq. Ai është gjëja më e përkryer në këtë botë. Edhe qumështi i nënës të ushqyer keq është po aq i mirë sa edhe qumështi i nënës së shëndetshme. Nuk është qumështi, por gjendja emocionale e nënës, që ndikon në shijen e tij. Është ngarkesa emocionale e kthyer në tension nervor, që e bën të grindet fëmijën në krah të nënës. Nëna kur e ushqen fëmijën, duhet të jetë e qetë. Ajo nuk duhet të jetë e ngarkuar emocionalisht, sidomos kur kjo ngarkesë është negative.
Nëna dhe fëmija kanë një komunikim misterioz, që nuk ka të bëjë me vetëdijen e nënës. Fëmija nuk e ka të ndërtuar vetëdijen, por ajo, që është dhe më interesante, qëndron në faktin se edhe pavetëdija nuk është ende e zhvilluar. Kështu gjërat dhe përvojat e jetuara, nëse nuk shoqërohen me ngarkesën emocionale pozitive të nënës dhe artikulimin e tyre me fjalët e saj, depozitohen në pavetëdijen e parritur si eksperienca, që prodhojnë dyshim dhe frikë.
Përktheu Lira Gjika
Burimi: Libri “Fëmijëria”