Udhëzime prindërimi për prindërit e rinj!

Udhëzime prindërimi për prindërit e rinj!

Kur bëheni prindër për herë të parë, këshillat ju vijnë lumë nga të gjitha anët! Për të lehtësuar disi përshtatjen e prindërve të rinjë  dhe fëmijës me jetën e re, Ndihma + ju propozon një udhëzues me disa këshilla të thjeshta, për t’ju lehtësuar përgjegjësinë dhe për t’ju dhënë besimin që ju nevojitet për të përballuar me sukses rolin e ri në jetën tuaj.

  1. Jetoni në të tashmen. Jepini të drejtën vetes të ndaloni të shqetësoheni për listën tuaj të gjërave që duhen bërë patjetër brenda 24 orëve. Të tipit punët e shtëpisë, pazaret, miqtë ose profesioni, duke u përpjekur të fokusoni më shumë vëmendjen tek mirëqënia e foshnjes dhe vetes suaj. Delegoni punët sa më shumë të jetë e mundur, dikush tjetër mund t’i bëj me shumë dëshirë për ju! Gëzoni së bashku momentet tuaja të çmuara, pasi fëmijët rriten shumë shpejt!
  2. Qetësohuni kur vjen fjala tek ushqyerja e fëmijës. Mësohuni t’i kushtoni vëmendje ritmit dhe ritualeve të tij / saj të ushqyerjes dhe qëndroni të hapur për çdo të papritur. Kur rriten pak dhe fillojnë me ushqimet e para, bëhet më e vështirë, por duhet të jeni të përgatitur edhe për këtë fazë, nuk do të jetë e lehtë, pasi fëmija juaj po fillon të njoh botën. Bëjeni argëtuese dhe sa më pak stresuese për të dy ju! Ata do të hanë patjetër kur të jenë të uritur.
  3. Thuaj jo. Sa më të mirë të bëheni në refuzimin e kërkesave që nuk janë në interes të fëmijës tuaj, aq më pak herë do t’ju duhet ta bëni këtë. Ju mund të thoni jo një herë në supermarket kur fëmija juaj kërkon të blejë një kuti me akullore, ose mund ta thuash çdo natë pasi ajo kuti është në frigoriferin tënd në shtëpi dhe fëmija gjatë ditës ka bërë shumë naze dhe vazhdon të llastohet duke kërkuar të prish oraret e ushqimit ose mënyrën e ushqimit.
  4. Krijoni mini zakone. Varni tullumbace rreth tavolinës së kuzhinës një natë para ditëlindjes së fëmijës tuaj, në mënyrë që ai / ajo të zgjohet në një ditë të veçantë. Bëni një lojëra qesharake kur jeni vetëm ju dhe fëmija juaj në ashensor. Krijoni një shtrëngim duarsh që e dinë vetëm ata – dhe ruajeni për momente të mëdha. Dhe mos harroni t’i përqafoni hera – herës.
  5. Jini gati për ditët e sëmundjes. Fëmijët do të sëmuren patjetër, përgatituni të keni në shtëpi disa medikamente bazë për temperaturën dhe vitamina në mënyrë që të mos keni nevojë të vraponi në farmaci në mes të natës kur i vogli juaj të ketë një shqetësim të till të papritur.
  6. Njihni fëmijën tuaj. Secili fëmijë është një kombinim unik i pikave të forta dhe të dobëta të prindërve të tij. Mundohuni të përshtatni përgjigjen tuaj për t’iu përshtatur fëmijës para jush. Kjo vjen duke i kushtuar vëmendje temperamentit të tij si individ më vete dhe përpjekjes për ta njohur sa më mirë fëmijën tuaj.
  1. Krijoni ekipin tuaj të suportit. Identifikoni njerëzit me të cilët mund të lidheni kur  keni nevojë për pak ndihmë me kujdestarinë e fëmijës dhe mbi të gjitha brenda familjes, kujdesuni të ndihmoni të gjithë duke edukuar dhe mësuar fëmijën të rritet. Veçanërisht në familjet ku jetohet me gjyshërit, duhet të negocioni dhe komunikoni gjatë, që edhe nëse ata ndihmojnë shumë në rritjen e fëmijës, pasi prindërit janë në marrdhënie pune, roli dhe figura e prindërve të mbeten parësor.  Duajini fort dhe falënderojini shpesh, të gjithë të afërmit dhe miqtë që ju ndihmojnë në këtë rrugëtim.
  1. Mos harroni se jeni një shembull për tu ndjekur në sytë e fëmijës. Bëhuni nënë tërheqëse për fëmijën tuaj, si në sjellje – komunikim dhe paraqitje, kështu që ai / ajo do të dëshirojë të jetë si ju kur të rritet dhe madje ta stimuloni dhe inkurajoni të jetë më i / e mirë. Nëse jeni gjithmonë e stresuar, impulsive ose e lodhur, fëmija juaj do të rritet plot pasiguri dhe pikëpyetje .
  2. Lëreni babin të marrë përgjegjësi. Babi duhet të jetë shumë i përfshirë gjithashtu në rritjen dhe edukimin e fëmijës, prandaj inkurajojeni atë të përfshihet në larjen e bebit ose edhe në ndërrimin e pelenave. Janë veprimtari të shkëlqyera që afrojnë – dhe një mundësi që ju të merrni frymë.
  3. Lexojini fëmijës çdo ditë. Ndihmon në ndërtimin e imagjinatës dhe është koha e kaluar mirë. Sigurisht si fillim, vëmendja ose përqëndrimi nuk do të jetë i lartë, por me rritjen fëmija do ta pëlqejë këtë kohë të shpenzuar bukur së bashku.

11. Ndihmoni foshnjën tuaj të flejë vetë. Ushqejeni atë në fillim të rutinës së gjumit. Pas një banje, leximi librash dhe përqafimesh, vendoseni në krevatin e tij / saj ndërsa është i/ e përgjumur. Mund t’i këndoni një ninull ose t’i vendosni muzikë të lehtë gjumi për fëmijë por mos i rrini gjatë mbi kokë, pasi nuk do të mësohet kurrë të flerë vetëm.

Previous Next
Close
Test Caption
Test Description goes like this